AlbanianSport.com 08.01.2015 13:15
ASNN – Dëshira për basketboll në Sarandë duket se është e pakufishme. Pas rikonstruksionit të palestrës në shkollën e mesme ekonomike në Sarandë, tashmë është hedhur ideja e ngritjes së Akademisë së Basketbollit.
Kjo sepse emri i Butrintit duhet të jetë dhe në sportin e koshit. Për ngritjen e kësaj Akademie, të paktën edhe sipas faqes në “Facebook” KS Butrinti, është iniciativa e disa trajnerëve të njohur në qytetin bregdetar, por dhe e disa të rinjve profesionistë, të cilët kanë luajtur dhe në “street-ball”.
Stërvitjet, sipas idesë së këtyre kuadrove të basketbollit në Sarandë, do të jenë cilësore dhe do të shërbejnë si pikënisje për hapjen dhe zhvillimin e sportit të koshit dhe në qytetin bregdetar. Iniciatorët e krijimit të Akademisë së Basketbollit në Sarandë i kanë bërë ftesë të gjithë të interesuarve për t’u marrë me sportin e koshit në qytetin e njohur bregdetar.