AlbanianSport.com 08.01.2015 09:15
ASNN – Dorian Bylykbashi është përforcimi i radhës te Partizani. Mesfushori 34-vjeçar do të qëndrojë te skuadra kryeqytetase të paktën deri në fund të këtij sezoni. Sipas trajnerit të të kuqve, Shpëtim Duro, pas afrimit të mbrojtësit Krasniqi dhe Bylylbashi, duket se është mbyllur merkatoja e dimrit për këtë skuadër.
Partizani ka bërë blerjen e radhës në këtë merkato dimri. Bëhet fjalë për mesfushorin 34-vjeçar të Elbasanit, Dorian Bylykbashi. Trajneri i të kuqve, Shpëtim Duro është shprehur se Bylykbashi është një lojtar i domosdoshëm për skuadrën, të cilin e ka ndjekur me kujdes gjatë dy fazave të para të këtij kampionati.
“Bylykbashi është një futbollist cilësor, i cili bëri një pjesë të parë të sezonit me nivel të lartë tek Elbasanit, – ka deklaruar ai. – Me blerjen e tij kemi mbyllur merkaton e dimrit.” I pyetur për shkrimet në media për kontaktet me Muzakën apo dhe futbollistë të tjerë, Duro tregohet i prerë, duke theksuar se ekipi i tij nuk ka nevojë për ndërhyrje.
“Kemi bërë një pjesë të parë të sezonit shumë të mirë, duke përjashtuar ndeshjen me Vllazninë, – ka deklaruar trajneri i të kuqve kryeqytetas. – Kam thënë që kam një ekip të mirë dhe me blerjet e bëra, do të jemi edhe më të fortë.” Vetë Bylykbashi është shprehur i kënaqur për ardhjen te Partizani dhe shpreson të jetë pjesë e arritjes së objektivit të klubit, marrjen e titullit “kampion”.
“Falënderoj trajnerin Duro për besimin, presidentin Demi dhe stafin teknik, – ka deklaruar elbasanasit gjatë konferencës për shtyp dhënë të mërkurën në klubin e kuq. – Do të përpiqem t’ua shpërblej në fushë.” Dorian Bylykbashi do të qëndrojë te Partizani të paktën deri në fund të këtij kampionati.