Olgert Serani 25.09.2014 19:35
Në Kampionatin Kombëtar të Peshëngritjes për Të Rritur, numri 2 në Evropë, Daniel Godelli, u konfirmua se është shtangisti më në formë për momentin. Në garën më të rëndësishme të sezonit në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, nënkampioni i Evropës theu rekordin kombëtar në stilin e shkëputjes duke ngritur 166 kg, 3 kg më shumë se ish-peshëngritësi Ilir Suli, i cili e mbante këtë rekord prej 15 viteve. Në stilin e shtytjes sportisti i Tiranës ngriti 192 kg, duke zënë vendin e parë në dygarësh me 358 kg.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i klubit kryeqytetas e kombëtares shqiptare, Sokol Bishanaku, deklaroi se me garën e fundit Godelli është në zonën e medaljes në dygarëshin e Botërorit. “Jam i kënaqur me konkurrimin në shkëputje, ndoshta në shtytje pritshmëritë e mia ishin më të mëdha se sa arriti, – tha ai. – Gjithsesi Godelli bëri një tjetër prezantim të denjë. Me rezultatin e arritur në dygarësh në kampionat, Godelli është në zonën e medaljes për bronz në Kampionatin Botëror.”
“E rëndësishme është që sportisti po stabilizohet me peshën e re. Realisht një sportist do thuajse një vit për t’u përshtatur pas ndryshimit të peshës. Rezultatet e fundit janë premtuese. Tashmë objektivi ynë kryesor është medalja në Botërorin e nëntorit. Vlen të theksohet se Daniel Godelli është i vetmi sportist në vend që ka rreth 40 medalje në arenën ndërkombëtare”, – deklaroi i mirënjohuri i trajningut kombëtar të shtangës, Sokol Bishanaku.
Me përzgjedhjen e sportistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Botërorin e Almatisë, në Kazakistan nga 4-16 nëntor që është edhe garë kualifikuese e Olimpiadës së Rios në 2016-n, federata ka planifikuar grumbullimin final po në Greqi nga 25 shtatori deri në fillim të muajit nëntor. Në kampionatin e së shtunës Godelli, i cili garoi në peshën 77 kg, u shpall edhe sportisti më i mirë për meshkuj. Në renditjen ekipore Teuta u kurorëzua kampione e Shqipërisë me 598 pikë, e ndjekur nga Weightlifting Elbasani me 335 pikë dhe Tirana me 253 pikë.
Ndërsa në konkurrimin e femrave Tirana zuri vendin e dytë me 165 pikë pas Skënderbeut kampion me 165 pikë.