Gjergj Vyshka 07.01.2015 21:15
Sopoti, që dje ka zhvilluar stërvitjen e parë në ish-kompleksin Dinamo, ka pasur largime, por dhe afrime. Kështu Muçmata, një futbollist i huazuar nga Kukësi në pjesën e parë të sezonit të Kategorisë së Parë tek skuadra librazhdase, duket se është kthyer tek verilindorët. Por përtej kësaj Sopoti i Stojkut ka pasur dhe afrime.
Kështu ardhja e parë është Kristi Kurti, një sulmues i talentuar 19-vjeçar, i cili ka qenë pjesë e Akademisë së Tiranës dhe Partizanit. Por afrimi më i ri është ai i mbrojtësit Florian Peqini. Lojtari, që ka qenë pjesë e Erzenit në grupin e Veriut të Kategorisë së Dytë, ka pasur në plan një largim të mundshëm tek Besëlidhja.
Por duket se një ardhje e tij vetëm për stërvitje tek librazhdasit mund ta bëjë atë pjesë të Sopotit, ndërsa është mirëpritur dje nga trajnerët Stojku e Ceno. Ndërkohë një plan për vazhdimin e periudhës përgatitore të Sopotit është vajtja në Durrës dhe grumbullimi në mjediset e Hotel “Florida”.
Gjithsesi për momentin Sopoti vazhdon stërvitjen në Tiranë, ndërsa Kurti e Peqini janë të rejat nga skuadra librazhdase.