AlbanianSport.com 07.01.2015 19:55
ASNN – Një tjetër mjedis sportiv, Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, po i nënshtrohet rinovimit dhe bëhet fjalë për parketin e sallës kryesore, që po zëvendësohet për shkak të problemeve që ka paraqitur. Ky rinovim pritet të përfundojë brenda 3 javëve.
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga ana e Bashkisë Shkodër, në ditët e para të janarit ka nisur heqja e parketit të pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Problemet që ky parket ka shfaqur që në momentin e shtrimit të tij, pati sensibilizuar drejtuesit e institucionit të pushtetit lokal të cilët nuk i akorduan fondin firmës që u mor me shtrimin e tij.
Në kushte të tilla, është urdhëruar heqja edhe njëherë e të gjithë parketit. Puna ka nisur paraditen e së hënës teksa parketi po hiqet gradualisht dhe njëkohësisht mendohet që të hiqet edhe shtresa që ka qenë poshtë tij e cila nuk ka lejuar ajrosjen. Investimi prej 40 milionë lekësh i Bashkisë Shkodër vitin e kaluar u konsiderua një sukses.
Kjo sepse kishte vite që mungonin investimet në infrastrukturën sportive por çarja herë pas here e tij bëri që të krijoheshin jo pak probleme, aq sa tashmë firma përkatëse është detyruar nga ana e këtij institucioni ta heqë të gjithë parketin dhe ta vendosë sërish, këtë herë në kushtet e duhura.
Punimet për rivendosjen e parketit pritet të zgjasin 20 ditë.