AlbanianSport.com 07.01.2015 17:55
ASNN – Sikundër ishte njoftuar, tapeti i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” po i nënshtrohet rinovimit, proces ky që ka nisur të hënën dhe pritet të zgjatë për të paktën 7-8 javë. Tapeti i ri pritet të jetë gati në gjysmën e dytë të muajit shkurt dhe rinovimi i përgjithshëm do të kapë një vlerë prej afro 10 milionë lekësh. Të hënën kanë nisur punimet për shtrimin e tapetit të ri të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Vendimi për një rinovim të tillë është marrë, për shkak të amortizimit të fushës së stadiumit, e cila nuk ishte zëvendësuar prej shumë vitesh dhe ishte gati e papërdorshme për të zhvilluar normalisht ndeshje futbolli. Sipas specialistëve, koha për shtrimin e tapetit, i cili mbërrin të hënën do të jetë rreth dhjetë ditë, ndërsa duhet llogaritur edhe koha e nevojshme për përshtatjen me kushtet klimaterike.
Duke folur para pak ditësh për AlbanianSport.com, Drejtori i Stadiumit, Eduard Prodani, pati theksuar se kjo ndërhyrje erdhi si nevojë e krijuar nga rëndimi i terrenit të “Qemal Stafës”, ndërsa rinovimi i përgjithshëm do të kapë një vlerë prej afro 10 milionë lekësh. Pas shtrimit të tapetit të ri, do të nevojitet një kohë prej të paktën 40 ditësh dhe, për këtë arsye, ende nuk caktuar një datë fikse se kur fusha do të vihet në përdorim.
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” përdoret për ndeshjet e dy klubeve të kryeqytetit, Tiranës dhe të Partizanit. Por ndërkohë që të kuqtë kryeqytetas i luajnë jashtë fushe dy ndeshjet e para të 2015-tës, bardheblutë presin në fushën e tyre Apoloninë dhe Flamurtarin dhe do të detyrohen të gjejnë një fushë tjetër për takimet e dy javëve të para të fazës së tretë të Kategorisë Superiore.