AlbanianSport.com 06.01.2015 21:45
ASNN – Nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj zyrtare në Internet, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se kanë nisur punimet për shtrimin e tapetit të ri të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Sipas këtij njoftimi, dje, me një intensitet të plotë firma fituese e tenderit ka nisur punën për zëvendësimin e tapetit të vjetër të Stadiumit Kombëtar, për ta zëvendësuar me një të ri.
Vendimi është marrë, për shkak të amortizimit të fushës së stadiumit, e cila nuk ishte zëvendësuar prej shumë vitesh dhe ishte gati e papërdorshme për të zhvilluar normalisht ndeshje futbolli, sidomos në kohë të rënduar dhe me shira.
Sipas specialistëve, koha për shtrimin e tapetit do të jetë rreth dhjetë ditë, brenda të cilave do të hiqet tapeti i vjetër për t’u zëvendësuar me të riun, ndërsa duhet llogaritur edhe koha e nevojshme për përshtatjen me kushtet klimaterike.
Duke folur para pak ditësh për AlbanianSport.com, drejtori i Stadiumit, Eduard Prodani, kjo ndërhyrje erdhi si nevojë e krijuar nga rëndimi i terrenit të “Qemal Stafës”, ndërsa rinovimi i përgjithshëm do të kapë një vlerë prej afro 10 milionë lekësh.
Sipas Prodanit, ende nuk caktuar një datë fikse për vënien në përdorim të fushës së rinovuar. Megjithatë, drejtori i “Qemal Stafës”, Eduard Prodani, theksoi se kjo është një zgjidhje provizore deri në ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar.