Gjergj Vyshka 06.01.2015 20:50
Lushnja i ka bërë tashmë ofertë zyrtare Mikel Cankës dhe Erjon Xhafës, dy lojtarët që janë larguar nga Apolonia në përfundim të pjesës së parë të sezonit në Kategorinë Superiore. Madje, sipas faqes në “Facebook” të KF Lushnja, Mikel Canka është objektivi më i rëndësishëm i merkatos dimërore të skuadrës verdhejeshile.
Mirëpo vështirësia qëndron se Canka, por dhe Xhafa, edhe duke qenë në qarkullim në Kategorinë Superiore, kërkohen nga disa ekipe të elitës së futbollit shqiptar. Tashmë në dorë e ka vetë sulmuesi se ku do të shkojë. E njëjta gjë vlen dhe për Xhafën, i cili ka dëshirë të vazhdojë të luajë në elitën e futbollit shqiptar.
Ajo që dihet është se Lushnja i ka bërë ofertë zyrtare si Cankës, ashtu dhe Xhafës, po pse jo dhe Brunild Pepës, ndërsa tashmë verdhejeshilët janë në pritje të përgjigjes së këtyre futbollistëve. Nëse Canka dhe Xhafa binden që të bëhen pjesë e Lushnjës, atëherë verdhejeshilët mund të shpresojnë jo vetëm kryesimin në grupin e Jugut të Kategorisë së Parë, por dhe daljen në Kategorinë Superiore.