AlbanianSport.com 06.01.2015 18:05
ASNN – Princi jordanez, Ali Bin El-Husein, aktualisht zëvendës-president i FIFA-s dhe përfaqësues i Azisë shpalosi sot qëllimin e tij për të paraqitur kandidaturën për presidencën e organizmit që qeveris futbollin botëror.
Kështu, ai do të jetë përballë presidentit aktual, zviceranit Sep Blater, dhe francezit Zherom Shampanjë. “Do të kandidoj për presidencën e FIFA-s sepse ka ardhur koha të dalim nga polemikat e brendshme për t’iu rikthyer sportit”, – deklaroi princi në një postim në rrjetin social ”Twitter”.
“Ky nuk ka qenë një vendim i lehtë dhe ka ardhur si fryt i një reflektimi të gjatë dhe diskutimeve të shumta me kolegët e respektuar brenda FIFA-s këto muajt e fundit”, – theksoi ai.
Zgjedhja e presidentit të FIFA-s do të zhvillohet gjatë Kongresit zgjedhor të këtij organizmi, që do të mbahet në Zyrih më 29 maj të këtij viti, por 78-vjeçari Blater është favorit për një mandat të 5-të.