AlbanianSport.com 06.01.2015 17:10
ASNN – Butrinti, ashtu sikurse të gjitha skuadrat e tjera të Kategorisë së Parë, ka nisur stërvitjen dimërore për të qenë sa më gati për më 7 shkurt, kohë në të cilën nis dhe pjesa e dytë e sezonit. Butrinti ka një ndeshje të vështirë jashtë fushe, teksa do të jetë përballë Pogradecit, ndërsa nuk do të ketë të gatshëm Raboshtën dhe Mustafajin.
I pari ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë në ndeshjen e 20 dhjetorit 2014 ndaj Bylisit, kurse tjetri ka dalë në të njëjtën ndeshje me karton të kuq. Parë kështu, drejtuesit sarandjotë kanë menduar se duhet të hynë në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër për të gjetur elementët e domosdoshëm që do të bëjnë të mundur ngjitjen në Superiore.
Por jo vetëm kaq për një Butrint “kampion” të Kategorisë së Parë janë betuar dhe tifozët, të cilët i kanë uruar suksese skuadrës në ditën e parë të stërvitjes. “Duhet të japim ndihmën tonë për të kurorëzuar daljen “kampion” të Kategorisë së Parë, si dhe ngjitjen historike në Kategorinë Superiore”, – kanë thënë tifozët nëpërmjet faqes së Facebook”-ut KS Butrinti.