Gjergj Vyshka 25.09.2014 17:05
Tirana jo vetëm që e ka merituar vendin e tretë në Kupën e Federatës në volejboll për femra, ndoshta duhet të kishte marrë dhe më shumë në këtë veprimtari të parë të sezonit të rrjetës shqiptare, por dje ndeshjen me Partizanin e ka pasur si një seancë stërvitore. Atje ku trajneri i bardhebluve, Adrian Gorenxa, i ka aktivizuar të gjithë.
Dhe në kushtet e një kundërshtari që nuk kishte lidhje me Partizanin e vjetshëm, komentet janë të tepërta, aq sa dhe setet flasin vetë; 16-25, 10-25, 12-25. Madje në setin e tretë, skuadra ka mbetur pa trajnerin Tare, i cili është larguar për arsyet e tij personale.
Nga prapa ka ardhur ndihmëstrajneri Thanasi, që për shkak të dënimit që ka marrë nga Federata Shqiptare e Volejbollit, vazhdon të mos qëndrojë në bankinë. Por skuadra ka qenë krejtësisht jashtë loje, ndërsa në setin e tretë, edhe kur pushimet i merrte Reka, ekipi nuk kishte më se kush ta udhëzonte.
Në përfundim pikëshënueset më të mira të ndeshjes janë Sara Shehu e Partizanit dhe Matoshi e Tiranës me shtatë pikë. Në bllok ka dalë fituese Thaka e Tiranës me pesë mure fituese, kurse në shërbim Matraku e Agolli i Tiranës me tre të saktë. Partizani në total ka pasur 38 pikë, prej të cilave 26 i ka shënuar vetë, kurse 12 kanë ardhur nga gabimet e Tiranës.
Në krahun tjetër Tirana ka realizuar 75 pikë, prej të cilave 53 vetë, kurse 22 kanë ardhur nga gabimet e të kuqeve.
Partizani – Tirana 0-3
(16-25, 10-25, 12-25)
Partizani: Xheka, Jaku, M. Tuci, Reka, Shaba, Shehu, Zeqirllari (L) / Dedej, Xhelilaj, Xhaferraj. Trajner: R.Tarja
Tirana: Matraku, Prenga, Matoshi, Fagu, Thaka, Meta (L), Pirra/Vokrri, Agolli, Blloku, Gega, Hoxha Trajner: A.Gorenxa
Gjyqtarë: R.Kuka (Vlorë), R.Kasmi (Tiranë)