AlbanianSport.com 06.01.2015 13:30
ASNN – Rikthehen stërvitjet në kompleksin e rikonstruktuar të fushës së vjetër në Gjirokastër. I pari i pankinës gjirokastrite, Bledar Devolli, ka bërë të ditur se stërvitja do të zhvillohet me dy seanca në ditë dhe nëse gjendet skuadër e lirë mund të zhvillojnë një ndeshje miqësore ditën e shtunë. Më e rëndësishmja në skuadrën gjirokastrite është se nga sot ekipi do të stërvitet në impiantin e ri të Fushës së Vjetër.
Është një investim i përbashkët i Bashkisë së qytetit dhe FSHF-së në shumën e 250 mijë eurove dhe me përfundimin e punimeve në këtë impiant merr fund edhe vuajtja e Luftëtarit për zhvillimin e procesit stërvitor. Pasi deri tani i është dashur të përgatitet në ambiente të papërshtatshme dhe në shumicën e rasteve në Pallatin e Sportit, apo në komplekse “kalçetoje”.
Me plotësimin e kushteve për stërvitje dhe me përforcimet me futbollistë cilësorë, Luftëtari shpreson të realizojë objektivin për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, edhe pse mban vendin e 8-të në renditje. Por fakti është që Luftëtari është vetëm 7 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Lushnja. Dhe kjo gjë i jep shpresë së mund të realizojë objektivin.
Në një prononcim dhënë ditë më parë, kryebashkiaku, njëkohësisht presidenti i ekipit, Flamur Bime, u shpreh se do të ketë zhvillime të reja dhe shumë surpriza në futbollin e qytetit të tij. Ai ka premtuar se nuk do të mungojnë burimet financiare dhe në vitin në vazhdim do të jenë jo vetëm të garantuara, por edhe shumë më të mëdha nga një vit më parë.