Gjergj Vyshka 06.01.2015 12:35
Dëshirë për basketbollin, ndërsa në Sarandë është rinovuar një palestër e tërë, e cila do të bëjë të mundur pasionin dhe dëshirën e bregdetarëve për t’u marrë dhe me sportin e koshit. Në fakt, përveç futbollit, Butrinti është shquar dikur për volejbollin e meshkujve, sikurse sot dallohet edhe në not, shah, kikboks.
Mirëpo tashmë ekziston dëshira e mirë dhe për basketbollin, ndërsa palestra e shkollës së ekonomikut në Sarandë është rinovuar plotësisht dhe tashmë është gati për t’i dhënë një shtysë më të madhe zhvillimit të basketbollit në këtë qytet bregdetar.
Pse jo ky parket i rinovuar jo vetëm që do t’i vijë në ndihmë nxënësve të shkollës në zhvillimin e programit mësimor të edukimit fizik sipas kërkesave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por në kuadrin e programit të shkollës si një qendër komunitare do të jetë një shtysë dhe për krijimin e ekipeve të basketbollit në Sarandë.
Sepse dëshira dhe kuadrot nuk mungojnë. Tashmë mbetet një nxitje dhe për Federatën Shqiptare të Basketbollit për ta parë dhe Sarandën si një qendër e zhvillimit të lojës së koshit, jo vetëm më për “street-ball”-in, por dhe për basketbollin në tërësinë e vet.