Gjergj Vyshka 06.01.2015 08:00
Dita e parë e stërvitjes së bluve nuk ka shënuar asnjë ardhje të re nga ato që janë deklaruar më parë. Dinamo e ka nisur stërvitjen e parë të vitit 2015 pa asnjë ndryshim në skuadrën e saj.
Me përjashtim të mungesave të Tafajt dhe Rexhepit, të dy me leje nga stafi teknik, Tragajt e Ferrajt, apo dhe Rezit, që janë në shkollë paradite, pjesa tjetër e ekipit është si më 20 dhjetor, kohë kur ka përfunduar dhe ndeshja e fundit me Sopotit.
Gjatë ditëve të fundvitit janë lakuar emrat e Bruno Ditës, Marvin Turtullit, Antonio Markut, Daniel Xhafajt dhe Bedi Grecës. Pa thënë që edhe Bekim Kuli, i cili tashmë është bërë pjesë e Teutës në Kategorinë Superiore, apo dhe Ablaje Papa Diob kanë qenë të gatshëm për të ardhur tek blutë.
Të gjashtë këta emra tashmë janë në çështje diskutimi nga drejtuesit blu, por duket se vështirësitë janë të mëdha.