AlbanianSport.com 06.01.2015 07:05
ASNN – Në prag të ndeshjes me Italinë, kjo për grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve, ndeshje e cila do të luhet të mërkurën në ora 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, trajneri i kombëtares së të rinjve të Shqipërisë, Altin Lala, do të dalë në një konferencë për shtyp.
Kjo konferencë, edhe sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit në faqen e saj zyrtare në Internet, do të mbahet sot në sallën e konferencave, në ora 09:30. Ajo që duhet theksuar është fakti se kjo Kombëtare është grumbulluar që të dielën në Durrës, në Resortin “Tropikal”, atje ku dhe është duke zhvilluar përgatitjet e saj për këtë miqësore.
Ndërkohë Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve të Italisë, gjithnjë sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, do të vijë sot në Shqipëri dhe do të largohet të enjten nga vendi ynë. Para 3 javësh, më 17 dhjetor 2014, të njëjtat kombëtare janë ndeshur në Romë dhe ka fituar Italia me rezultatin 3-1.