AlbanianSport.com 05.01.2015 16:15
ASNN – Lushnja si kryesuese e grupit të Jugut në Kategorinë e Parë është në kërkim të “ish”-ëve. Në fakt gjërat kanë ardhur në favor të skuadrës së Artan Banos në kushtet kur sulmuesi Mikel Canka dhe qendërmbrojtësi Erjon Xhafa kanë prishur kontratën me Apoloninë e Superiores.
Sipas faqes në “Facebook” të KF Lushnjës, shkak i prishjes së kontratës së Cankës e Xhafës është gjendja e rëndë financiare në të cilën ndodhet skuadra fierake. Kështu që Lushnja ka qenë në pritje jo vetëm të Cankës, i njohur si një “makinë golash” kur skuadra verdhejeshile është ngjitur në përfundim të sezonit 2012-2013 në Kategorinë e Parë, por dhe të Xhafës.
Dhe dje është lajmëruar që Canka është pranë rikthimit tek Lushnja, ashtu sikurse dhe sulmuesi i Teutës, Brunild Pepa. Nëse Canka, Pepa e Xhafa bëhen pjesë e Lushnjës, atëherë skuadra e Artan Banos do të jetë një kandidate e fortë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.
Ndërkohë Lushnja sot ka nisur stërvitjen, ndërsa është premtuar dhe dërgimi jashtë Shqipërisë i skuadrës, por ende nuk dihet vendi se ku verdhejeshilët do të bëjnë periudhën e tyre përgatitore.