Gjergj Vyshka 05.01.2015 10:25
Flamurtari, kampionia në fuqi e futbollit të sallës, e ka nisur vitin me barazim, teksa dje në mesditë në Vlorëështë luajtur ndeshja e prapambetur e javës së dytë të Kampionatit të 12-të Kombëtar të kësaj disipline. Vlonjatët e Mario Karlusit kanë pasur përballë Vllazninë, e cila ka bërë një rezistencë të fortë, të paktën kjo edhe sipas trajneri të kuqezinjve.
Flamurtari ka kaluar në epërsi me anë të Aloviçit, por menjëherë shkodranët kanë përmbysur në 2-1. Ka barazuar Maze e mandej Karlo Karlus ka shënuar dhe golin e tretë. Mirëpo duket se nuk ka qenë e thënë që Flamurtari të mund të merrte fitoren e tretë të sezonit, e cila do të konvertohej në marrjen e vendit të parë. Vllaznia ka barazuar duke fiksuar barazimin 3-3.
Përfundimisht kryesimi është bërë tresh tashmë, ndërsa janë tre ekipe me nga shtatë pikë, pikërisht Tirana, Flamurtari e KS Ali Demi. Ndërkohë përgjegjësi i futbollit të sallës në Federatën Shqiptare të Futbollit, Endi Hyka, ka sqaruar se ndeshja e prapambetur e javës së tretë, Edro Vlora-Teuta, i cila supozohej të luhej dje, do të luhet në një datë tjetër.
E tashmë kampionati deri më 25 janar do të jetë pushim për t’i ardhur në ndihmë ekipit kombëtar, që do të marrë pjesë, nga data 13, deri më 18 janar, në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Futbollit të Sallës.
Kampionati i 12-të Kombëtar
i Futbollit të Sallës
Ndeshje e prapambetur:
Flamurtari – Vllaznia 3-3
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Tirana 3 2 1 0 26-11 7
- Flamurtari 3 2 1 0 20-7 7
- KS Ali Demi 3 2 1 0 16-10 7
- Edro Vlora 2 1 0 1 4-7 3
- Teuta 2 1 0 1 9-13 3
- “Black Sheep” 3 1 0 2 15-24 3
- Vllaznia 3 0 1 2 10-13 1
- Universiteti Epoka 3 0 0 3 15-30 0