Gjergj Vyshka 05.01.2015 07:55
Koshi shqiptar i rikthehet festave të fundviti, mes shumë dhuratave e çmimeve. Caktohen pesëshet më të mira, kurse Ponari prezanton projektin e kombëtareve. Migena Plasa e Flamurtarit dhe Algerd Gjonaj i Tiranës janë lojtarët më të mirë të vitit 2014 për basketbollin shqiptar. Ky ka qenë votimi i trajnerëve të koshit shqiptar, të cilët kanë votuar më pas dhe për pesëshet më të mira të sezonit. Kështu për femra pesë lojtaret më të mira kanë qenë: Plasa (Flamurtari), Xhanaj (Apolonia), Semanjaku (Apolonia), Eliverta Bujari (Tirana), Aliaj (Apolonia).
Kurse për meshkuj janë dalluar: Gjonaj (Tirana), Karaj (Kazma Basket), Daliu (Kamza Basket), Ndoja (Vllaznia), Vogli (Tirana). Gjithçka ka ndodhur në festën e fundvitit që Federata Shqiptare e Basketbollit ka organizuar në ambientet e “Sky Tower” në kryeqytet, atje ku brezi i lojtareve që luajnë aktualisht është gërshetuar mirë me ato që kanë dhënë shumë ndër vite për zhvillimin e koshit shqiptar. Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka uruar të gjithë familjen e basketbollit shqiptar për festat e fundvitit, si dhe i ka uruar të gjithë që ta çojnë basketbollin në një hap tjetër më cilësor për vitin 2015.
Ndërkohë Migena Plasës ia ka dorëzuar çmimin Vaso Shaka. Basketbollistja e Flamurtarit do të deklaronte: “Një çmim i tilllë të shijon shumë. Falënderoj Federatën Shqiptare të Basketbollit, presidentin Ponari jo vetëm për këtë organizim, por për gjithçka që ndodh në basketbollin shqiptar. Një çmim i tillë është fryt i të gjithë skuadrës së Flamurtarit dhe trajnerit të saj Viron Toska”.
Ndërkohë për Gjonajn çmimi është dhënë nga një legjendë e basketbollit të Tiranës si Kostandin Shkurti. Sakaq është dhënë dhe çmimi për gazetarin më të mirë, i cili i ka takuar gazetarit të Televizionit Shqiptar dhe moderatorit të AlbanianSport.com, Altin B. Kodra, si dhe çmime të veçanta ka pasur nëpërmjet shortit dhe për dy pjesëtar të asaj feste të fundvitit për basketbollin shqiptar. Ajo që duhet përmendur është se pjesë e gëzimit të basketbollit ka qenë dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.