Gjergj Vyshka 29.12.2014 15:15
Tek blutë, edhe pse duhet të kishin më shumë pikë seç aktualisht, të kënaqur me vendin e dytë. Administratori Saliaj: “Jemi në bisedime e sipër me të gjithë lojtarët, shpejt mbyllen tratativat”. Dinamo e ka mbyllur në vendin e dytë të Grupit të Jugut në përfundim të pjesës së parë të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ndërsa në 12 javë blutë grumbulluan 20 pikë, një pikë më pak se sa Lushnja kryesuese.
Administratori Saliaj e konsideron këtë pjesë kampionati të mirë dhe që jep shpresë që Dinamo e sivjetme të jetë në Kategorinë Superiore. “Sigurisht që duhet të kishim pikë më shumë dhe të ishim të shkëputur 4-5 pikë nga ndjekësit, – ka deklaruar kreu i klubit blu. – Megjithatë për të gjitha problemet, apo vështirësitë që kemi pasur, sidomos në orarin e papërshtatshëm në të cilin jemi stërvitur, duhet thënë që jemi të kënaqur.”
“Kemi ende për të përmirësuar dhe për të vazhduar punën tonë për të ndërtuar një skuadër ambicioze, e cila duhet ta kthejë emrin e madh të Dinamos në Kategorinë Superiore”, – ka nënvizuar Saliaj. Ndërkohë me përjashtim të faktit e të pëlqimeve që kanë pasur blutë në këtë treg të lëvizjeve të futbollistëve në dimër, ende nuk ka zyrtarizime.
Dinamo, ashtu sikurse ka shpjeguar dhe disa ditë më parë për Gazeta e Sportit administratori i bluve, Ismet Saliaj, kërkon të bëjë të sajin Bruno Ditën, Marvin Turtullin, Antonio Markun, Daniel Xhafajn dhe Bedi Grecën. “Me të gjithë këto lojtarë, – ka thënë Saliaj, – ne jemi në bisedime të vazhdueshme. Pëlqimet e tyre janë të atilla për të ardhur tek Dinamo, por konkretizimi do të mbesë vetëm në ditët e para të janarit, kohë në të cilën do të nisim dhe stërvitjen për t’u përgatitur për pjesën e dytë të sezonit.”