Gjergj Vyshka 29.12.2014 14:20
Franc Ashiku është “kampioni” i Shqipërisë në turneun e blicit, që është zhvilluar dje në sallën e shahut poshtë tribunës për karshi të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Shahisti i talentuar shkodran në 9 ture me nga 5 minuta ka grumbulluar 8.5 pikë, ndërsa ka përfituar dhe shpërblimin prej 12,000 lekësh të rinj. Pas tij është renditur në vendin e dytë Llambi Pasku, i cili ka grumbulluar 7.5 pikë dhe ka marrë shpërblimin prej 8,000 lekë të rinj.
Në vendin e tretë është renditur me shtatë pikë Ilir Seitaj, që ka përfituar shpërblimin prej 5,000 lekë të rinj. Ndërkohë vendi i 4-t i ka takuar Aleksandër Pacit, që në 9 ture grumbulloi 6.5 pikë dhe përfitoi shpërblimin prej 3,000 lekësh të rinj. Vendi i 5-të dhe i 6-të, i ndarë mes Timoleo Miços dhe Bimi Metës, është ndarë në pikë të barabarta, 6, ndërsa shpërblimet e përfituara prej tyre kanë qenë në shumën prej 2,000 dhe 1,000 lekësh të rinj.
Në këtë turne blici kanë marrë pjesë 40 garues, ndërsa çmimet në lekë dhe koktej i fundvitit ku të gjithë shahistët i kanë thënë njëri-tjetrit “Gëzuar Vitin e Ri 2015” janë dhënë nga zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Besnik Bajraktari. Madje për dy shahistët më të rinj, pikërisht Klean Shuqjan dhe Marinel Vasili, ka pasur çmime në lekë 1,000 dhe 2,000 lekë të rinj. Në fund të gjithë shahistët janë përshëndetur nga Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinci.