AlbanianSport.com 28.12.2014 07:55
ASNN – Duket si e pabesueshme, por Sopoti i vendit të katërt në renditjen e grupit të Jugut, teksa ka vetëm dy pikë më pak se sa Lushnja kryesuese, është duke kërkuar të bëjë super-lëvizje në këtë treg të futbollistëve në dimër. I pari në planet e librazhdasve është sulmuesi Mirel Çota, që në pjesën e parë të sezonit ka luajtur me Elbasanin në Superiore.
Ka dalë nga ekipet zinxhir të Sopotit, është promovuar nga Teuta, pa harruar se ka luajtur dhe në Itali me Savonën për të kaluar më pas tek Tirana. Kështu që vlerat e tij i njohin të gjithë në kampin librazhdas, ndërsa Çota do të ishte një super-lojtar për sulmin e Sopotit. Por librazhdasit dhe ekipi i drejtuar nga trajneri Gentian Stojku nuk mjaftohen me kaq.
Faqja në facebook e FC Sopotit lajmëron se do të ketë një huazim nga Tirana të lojtarit nga Ruanda, Kagere. Në fakt futbollisti, së bashku me Olakin, janë lënë të lirë. Dhe për rrjedhojë Sopoti, gjithnjë nëse do të vijë në ofertën financiare që Kagere ka pasur tek Tirana, mund ta bëjë të sajin.
Dhe përforcimi i fundit që pritet është dhe huazimi i Domgjonit, që ka luajtur me të rinjtë e Tiranës dhe me Tiranën B në Kategorinë e Dytë, ndërsa ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Nën-19-vjeçarëve. E nëse Çota, Kagere dhe Domgjoni bëhen pjesë e Sopotit, atëherë kjo skuadër bëhet kandidate potenciale për të qenë nga Jugu për në Kategorinë Superiore, ashtu sikurse librazhdasit e kanë pasur objektiv.