AbanianSport.net 27.12.2014 18:00
ASNN – Butrinti e ka fituar ndeshjen e fundit në fushën e vet ndaj Bylisit, 3-1. Por kusuret e këtij gëzimi, që e mban ende skuadrën sarandjote pretendente për të qenë në Kategorinë Superiore, duken më të mëdha.
Më 7 shkurt, kohë në të cilën do të startojë dhe pjesa e dytë e sezonit futbollistik të Kategorisë së Parë, Butrinti do të jetë mysafir në Pogradec. Mirëpo në këtë përballje me liqenorët, Butrinti do të ketë dy mungesa të sigurta.
Këto janë Jasmin Raboshta, i cili ka marrë ndaj Bylisit kartonin e tretë të verdhë, si dhe Erjon Mustafaji, i cili pas dy të verdhëve është ndëshkuar automatikisht me karton të kuq.
Për rrjedhojë, trajneri Mustafa Hysi duhet të mendojë që tani për ndërtimin e sulmit sarandjot, pa thënë që ndonjë dhuratë nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër do të ishte ideale.
Dhe kjo jo vetëm për të plotësuar gropat e krijuara nga mungesat e Raboshtës dhe Mustafajit në këtë ndeshje, por dhe për të krijuar më shumë konkurrencë brenda ekipit sarandjot.
Dhe në faqen e “Facebook”-ut, KS Butrinti, është thënë troç e pastër: “Kërkohen realisht përforcime për skuadrën në merkaton dimërore”.