AbanianSport.net 27.12.2014 11:35
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat sportive kosovare në Internet, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), bazuar në kriteret e Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, sipas propozimeve të Federatave Sportive Olimpike të Kosovës, të sporteve individuale, ka përzgjedhur Ekipin Kombëtar Olimpik të Kosovës, në përbërje të së cilës janë sportist të Komunave të ndryshme të Kosovës.
Në zyrën e KOK u bë nënshkrimi solemn i Memorandum bashkëpunimi midis KOK-ut dhe kryetarëve të Komunave nga vijnë anëtaret e Ekipit Olimpik “RIO 2016”. Në KOK ishte i pranishëm kryetari i KK të Fushë-Kosovës, Burim Berisha dhe përfaqësuesja e KK Prishtinës, për Rini, Kulturë dhe Sport, Saranda Bogujevci, ku nënshkruan memorandumin me kryetarin e KOK-ut, Besim Hasanin.
15 sportistë që do të marrin bursë olimpike nga 500 dollarë: Prishtinë – Lum Zhaveli, Rita Zeqiri (not); Fushë Kosovë – Erendita Gërguri (taekuondo); në Ferizaj – Qëndrim Guri (çiklist); në Pejë – Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Letrime Krasniqi (xhudo); në Viti – Urata Rama, Lumturie Rama (shenjëtari); në Dardanë – Musa Hajdari e Vijona Kryeziu (atletikë); në Drenas – Hazir Asllani (shigjetari); në Prizren Armend Xhoxhaj (boks) e Kastriot Sedolli (mundje).
Hasani tha se pas 4 janarit 2015 pritet një përfaqësues i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i cili do të vijë në Prishtinë që të nënshkruajë kontratë me secilin nga këta sportistë që përfitojnë bursë olimpike. Dhe të 15 bursistët janë të angazhuar për t’u kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, ndonëse mbetet për t’u parë sesa prej tyre do ta arrijnë realisht një gjë të tillë.