AlbanianSport.com 26.12.2014 17:05
ASNN – Pas shpalljes qytetar nderi në Gramsh, së bashku me kapitenin e kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana dhe trajnerin e kuqezinjve, Xhovani De Biazi, Andi Lila ka vazhduar shpërndarjen e dhuratave sociale në qytetin e tij të lindjes në Kavajë.
Të paktën edhe sipas informacioneve që ka shpërndarë drejtori i sporteve në Bashkinë e Kavajës, Fatmir Efica, Lila me rastin e krishtlindjeve ka bërë një surprizë të bukur respekti e bujarie për Shtëpinë e Të Moshuarve në Kavajë.
Ai ka dhuruar një sasi sobash ngrohëse për këtë sezon dimëror. Ka qenë ky një gjest shumë njerëzor nga një futbollist i dalë nga shkolla kavajase, me të cilin kyq qytet vërtetë krenohet aktualisht.
Në ceremoninë e improvizuar Andi Lila është shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Qytetit, Elvis Roshi. Nga ana tjetër, falënderime të përzemërta u bënë nga të moshuarit që jetojnë në këtë institucion publik.
Drejtori i Shtëpisë së Të Moshuarve Kavajë, Ismail Kadiu, falënderoi Andi Lilën duke i uruar atij sa më shumë suksese në karrierën futbollistike.