Gjergj Vyshka 25.12.2014 16:10
Për kampionatin e futbollit të sallës tashmë është kthyer në modë, ndërsa tabela elektronike është në dorën e punëtorëve të Pallatit të Sportit “Asllan Rusit”. Pra në kushtet kur skuadrat pritëse paguajnë, ndeshja e futbollit të sallës luhet sipas rregullores dhe me kohën e caktuar prej 20 minutash.
Në të kundërt, siç dhe ka ndodhur dje në ndeshjen Universiteti Epoka-“Black Sheep”, ndeshja bëhet 30 minuta dhe orën e mban gjyqtari kryesor, i cili komunikon me gjyqtarin e tavolinës për minutën e golit. Gjithçka ka ndodhur dhe në sytë e delegatit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Endi Hyka, ndërsa duhet bërë e ditur që ndeshjet e futbollit të sallës transmetohen dhe nga Telesporti.
Hyka është ankuar tek drejtori i Pallatit të Sportit, Ardian Yzeiri, i cili i ka bërë të ditur se punëtorët edhe duke qenë jashtë orarit të punës duhet të paguhen nga klubet pritëse. Por edhe kjo nuk është normale, sepse në ndeshjet e basketbollit dhe volejbollit, duan apo nuk duan, ato janë tek tabela elektronike.
Në kushtet kur klubet paguajnë nga 10.000 lekë të rinj për ndeshje, atëherë dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi” duhet t’i përgjigjet sipas standardeve të rregullores ndërkombëtare. Sepse futbolli i sallës nuk më pak i rëndësishëm se basketbolli, apo se volejbolli… Ndaj tabela elektronike në dorën e punëtorëve të “Asllan Rusit”, herë po e herë jo, nuk e bën serioze këtë kampionat…