AlbanianSport.com 25.09.2014 09:35
ASNN – Për të dy palët e tifozëve, derbi është më i rëndësishëm se vetë kampionati. Ndërsa, fitorja ndaj rivalëve të të njëjtit vlen më shumë se titulli. Por premten në mbrëmje tifozët e Tiranës dhe Partizanit nuk do të jenë në stadium për derbin e parë sezonal. Pezullimi pas dhunës në Shkodër bën që ndeshja të luhet pa tifozë. Humbje e madhe edhe për vetë sfidën që ka bërë historinë e futbollit shqiptar.
Gjithsesi, nga eksperienca e tij mbrojtësi i Tiranës, Debatik Curri ka një zgjidhje që derbi i kryeqytetit të mos zhvillohet në qetësi. “Unë personalisht do telefonoja presidentin Duka dhe do t’i kërkoja që të luhet me tifozë, – ka thënë ai. – Por, fatkeqësisht nuk varet prej nesh, pra futbollistëve. Është federata që vendos dhe një shembull mund të jetë edhe Turqia.”
“Atje, në rastet të tilla lejohen të futen në stadium fëmijë deri në 15 vjeç dhe femrat, – ka theksuar kosovari i Kombëtares. – Do të ishte diçka më e bukur për të shmangur një ndeshje me dyer të mbyllura pa tifozë, të bëhej një tolerim i tillë.” Edhe mesfushori i Partizanit, Idriz Batha do të preferonte të kishte mbështetjen e tifozëve të tij, megjithatë mungesa e tyre duhet të motivojë më shumë skuadrën.
“Normal që tifozëria është një humbje e madhe në derbi, aq më tepër për ne që jemi rritur si lojtarë këtu te Partizani, – ka theksuar futbollisti i dalë nga shkolla e futbollit të të kuqve kryeqytetas. – Pa tifozë të jepet përshtypja që është një ndeshje e qetë. Mirëpo, kur futesh në lojë mendon për ndeshjen më pas dhe përqendrohesh totalisht. Vërtet grupi ka pak lojtarë që e kanë luajtur apo që e dinë shijen e derbit.”
“Jemi skuadër e re, por them se jemi ambientuar tashmë dhe ndaj Tiranës të gjithë e dimë se çfarë duhet të japim në fushën e lojës”, – ka shtuar ai. Për herë të parë pas shumë vitesh, Tirana dhe Partizani vijnë të barabartë në derbin e parë të sezonit. Pas pesë javëve të para, dy ekipet e kryeqytetit kryesojnë bashkë tabelën e renditjes me nga 10 pikë secili.