AlbanianSport.com 25.12.2014 09:45
ASNN – Elmir Kujtim Çupi mund të jetë afrimi i Korabit në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Sipas KF Korabit në “Facebook”, ai ka lindur në Dibër, ndërsa ka vite që jeton në Greqi dhe ka qenë pjesë e skuadrave të grupmoshave të PAOK-ut të Selanikut. Madje është pjesë e skuadrës së Nën-19-vjeçarëve të këtij klubi.
Por në të vërtetë, gjithnjë sipas informacionit që jep KF Korabi, ai nuk ka pasur hapësira për të luajtur në ekipin e parë. Dhe në kushtet kur mund të mos gjejë jo vetëm tek PAOK-u, apo dhe ekipe të tjera të Superligës helene, atëherë ai mund të kthehet në atdhe.
E vërteta është se ai ka pasur disa oferta nga ekipe të kategorisë së dytë në Greqi. Mirëpo edhe duke parë Korabin kryesues në grupin e Veriut në Kategorinë e Dytë, gjithnjë sipas dibranëve, ai ka shprehur dëshirën e tij për të qenë pjesë e ekipit të vendlindjes me idenë për të kontribuar në ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Pozicioni i tij është sulmues për çka ka më shumë nevojë Korabi i trajnerit Laçi.