AlbanianSport.com 24.12.2014 14:05
ASNN – Ndeshja më kryesore e grupit të Veriut në Kategorinë e Parë, Korabi-Erzeni, fituar nga dibranët 1-0, nuk ka kaluar pa ankesa nga humbësit. Më së shumti, në qendër të vëmendjes së analizës së shijakasve, është gjykimi i kryesorit Klajdi Kola dhe asistentëve të tij, ndërsa sipas tyre ka ndikuar në rezultat. “Policia e Peshkopisë, – thonë në analizën e tyre shijakaset, – u tregua shumë e rregullt në raport me tifozerinë tonë, e cila ishte në një numër rreth 300 shikues dhe kjo vlen të përgëzohet.”
“Jo vetëm kaq, por dhe tifozeria vendëse u tregua me karakter, ndërsa nuk është përfshirë në akte dhune me tifozerinë tonë me përjashtim të disa fyerjeve që janë të pranueshme dhe normale në stadiumet tona, – kanë vijuar ata. – Apo dhe disa gurëve të hedhur ndaj lojtarëve tanë në shenjë protestë, por që janë individë që nuk mund të njollosin një qytet të tërë”. Por e gjithë çështja e fitores së dibranëve ka qëndruar tek gjykimi. Ndaj dhe shijakasit kanë thënë: “Gjykimi ishte ai që na ndëshkoi”.
“Ishte i një niveli amatoresk, ndërsa vlen të përmendet kryesisht loja e ashpër e Korabit, atje ku në më shumë se 3-4 raste vendësit e meritonin kartonin e kuq, – kanë vijuar ata. – Gjithashtu dhe njëri nga anësorët, i cili është me origjinë dibrane, në çdo aksion të Erzenit ngrinte flamurin për pozicion jashtë loje, edhe pse mbrojtësit vendës ishin gati dy metra para sulmuesit tonë. Jo vetëm kaq, por një gjë e tillë ndodhte dhe kur sulmuesi ynë nuk e kishte kaluar vijën e mesit të fushës.”
Megjithatë shijakasit pranojnë që loja me Korabin ka qenë e përqendruar tërësisht në mesin e fushës dhe Erzeni, me më pak zgjuarsi, mundet ta kishte marrë jo vetëm barazimin, por dhe fitoren ndaj Korabit. “Shpresojmë që kontingjenti i lojtarëve të mos ndryshojë në fazën e dytë dhe për më tepër të përforcohet skuadra në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër”, – kanë përfunduar drejtuesit e Erzenit, që analizën e tyre të ndeshjes me Korabin e kanë bërë në KF Erzeni.