Gjergj Vyshka 23.12.2014 11:15
Kryesuesit e grupit të Jugut kanë vendosur që të mos largojnë asnjë nga ekipi. Verdhejeshilët duket se po rivalizojnë me Dinamon me planet e përforcimeve dimërore. Lushnja “hap thesin”, ndërsa kërkon katër lojtarë cilësor për ekipin. Kryesuesit e grupit të Jugut, të cilët në 12 javë kampionati kanë grumbulluar 21 pikë, duket se po rivalizojnë me Dinamon e vendit të dytë për përforcimet që po kërkohen në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër.
E thënë ndryshe, Lushnja duket se ka vendosur që ta vazhdojë rrugëtimin e saj drejt ngjitjes në Superiore, atje ku ishte dhe një sezon më parë, ndërsa u largua sepse buxheti nuk ka qenë i bollshëm. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se merita e trajnerit Bano ka qenë ruajtja e grupit të futbollistëve vendës, ndërsa janë larguar nga skuadra e Superiores vetëm Mihani, Fonseka, apo dhe ndonjë lojtar tjetër.
Por ardhja e Branicës nga Shkumbinit, e Bazes, apo dhe ndonjë lojtari tjetër ka krijuar atë ansambël që sot e kanë bërë Lushnjën kryesuese. Parë kështu, por dhe rezultatet e deritanishme, ndërsa Lushnja ka humbur vetëm dy ndeshje, atëherë drejtuesit kanë vendosur që ta mbajnë grupin e lojtarëve pa e prekur fare. Dhe për të bërë një skuadër solide, Lushnja kërkon katër përforcime cilësore.
Ajo që nuk dihet është se për çfarë ka nevojë skuadra e Banos, e cila edhe duke ruajtur grupin e futbollistëve aktual duket se i ka të plotësuar repartet. Por meqë Dinamo ishte e para që ngriti tentativën e përforcimeve me idenë e lojtarëve të afirmuar në Superiore, atëherë dhe Lushnja po e luan këtë kartë. Sigurisht që deri më 31 janar, kohë në të cilën mbyllet dhe tregu i lëvizjeve të lojtarëve në dimër, të gjithë do t’i kenë marrë ato që duhet.
Duhet parasysh dhe një fakt domethënës, në Shqipëri një pjesë e mirë e lojtarëve janë të gjithë me kontrata, që do të thotë se prishja e njëanshme ka dhe kosto shtesë. E vetmja alternativë janë klubet që renditen në mesin, apo në fundin e renditjes, dhe që aktualisht financat i kanë të dobta. Pra me ato futbollistë që janë të pakënaqur nga drejtuesit e ekipeve ku ndodhen aktualisht. Ose zgjidhja tjetër janë dhe tregu i huaj.
Megjithatë edhe duke qenë se ka vetëm hipoteza, atëherë Lushnja kërkon katër përforcime cilësore dhe ruajtjen e grupit pa lëvizur. Sepse vetëm kështu mund të jetë në Superiore. Dhe problemin e vendit të parë, ndonëse ka dhe një fazë tjetër, duket se do ta zgjidhë ndeshja e 7 shkurtit, mes Lushnjës dhe Dinamos në “Roza Haxhiu”. Gjithsesi Lushnja është në kërkim të përforcimeve.