AlbanianSport.com 23.12.2014 08:45
ASNN – Palestër e re sportive, kjo ka qenë dhurata e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallullin” në Tiranë. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla vizitoi dje shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, atje ku prezantoi nismën “Të festojmë së bashku” dhe përuroi terrenin e ri sportiv për këta fëmijë.
Në kuadër të kësaj nisme, nxënësit e gjimnazit të Tiranës, “Qemal Stafa”, u dhuruan fëmijëve të shtëpisë “Zyber Hallulli” dhurata në ndryshme. “Ky është rasti i Tiranës, por kudo në Shqipëri, atje ku shkollat po zhvillojnë aktivitete duke shkëmbyer dhurata për t’iu gjendur pranë njëri-tjetrit dhe fëmijëve që kanë më shumë nevojë në këto ditë festash”, – tha ministrja Nikolla.
Gjithashtu, falë bashkëpunimit të MAS, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe kompanisë së karburanteve “Kastrati”, për këta fëmijë është ndërtuar një palestër, atje ku ata mund të luajnë apo të merren me aktivitete fizike. Ministrja Lindita Nikolla së bashku me fëmijët e kësaj shtëpie përuruan palestrën e ndërtuar sipas të gjitha standardeve.
Ministrja vlerësoi partneritetin publik-privat në shërbim të fëmijëve e nxënësve dhe shprehu mbështetjen e institucionit që ajo drejton për bashkëpunime të tjera në të ardhmen. “Krijimi i këtij terreni sportiv është një mundësi më shumë për këta fëmijë për t’u argëtuar e për t’u marrë më aktivitete sportive. Por detyra jonë është që të kujdesimi çdo ditë për jetën e tyre dhe jo vetëm në ditë festash”, tha Lindita Nikolla.