AlbanianSport.com 22.12.2014 09:20
ASNN – Kukësi është shpallur “kampion i dimrit” pas fitores 1-0 të arritur ndaj Flamurtarit në Vlorë. Goli i Pero Pejiçit në pjesën e parë ka qenë vendimtar për kuksianët që ndodhen përsëri 2 pikë larg ndjekëseve më të afërt, Skënderbeut dhe Partizanit. Në Vlorë takimi nis me një epërsi të lehtë të vendasve. Skuadra e Ramelës përpiqet të ushtrojë presion në fragmentet e para të lojës por has pengesën e mbrojtësve kukësianë të cilët janë rreshtuar mjaft mirë në prapavijë.
Në minutën e 16-të vjen dhe goli që zhbllokon sfidën. Është i përherëshmi, Pero Pejic i cili shfrytëzon si duhet një gabim trashanik të Muzakës në zonë dhe kalon Kukësin në epërsi, me golin e tij të 10-të sezonal. Menjëherë pas golit të shënuar, veriorët kthehen mbrapa dhe përpiqen të administrojnë rezultatin. Ndeshja zhvillohet kryesisht në mesin e fushës. Me një epërsi të lehtë të vlonjatëve mbyllet pjesa e parë 0-1. Me fillimin e pjesës së dytë, vlonjatët shfaqen me një tjetër fizionomi loje.
Djemtë e Ramelës hidhen në sulm në kërkim të golit të barazimit por Kukësi bllokon cdo aksion. Pavarsisht përpjekjeve të shumta të vlonjatëve, Kukësi bën rezistencë dhe mbyllet gjithçka në shifrat 0-1. Skuadra trajnerit Artim Shaqirit e mbyll vitin në krye të klasifikimit me 38 pikë, 2 më shumë se Partizani e Skënderbeu. Ndërkohë një Flamurtar zhgënjyes i këtij viti i cili e mbyll në vendin e 7-të me 22 pikë.