AlbanianSport.com 21.12.2014 12:50
ASNN – Me golat e Serxhio Ramosit dhe Gereth Bejlit, Reali i Madridit mundi 2-0 në finale argjentinasit e San Lorenzos dhe fitoi Botërorin e Klubeve, që u zhvillua në Marok. Me këtë sukses, madrilenët shkojnë në 18 trofe ndërkombëtarë të fituar në histori, duke barazuar kështu Milanin dhe Boca Xhunjors. Për trajnerin Karlo Ançeloti, ky është titulli i 31-të në karrierën e tij si lojtar dhe trajner. Ndërkohë, për Realin kjo ishte fitorja e 22-të radhazi në ndeshje zyrtare.
Rekordi vazhdon të thellohet. Kësisoj, janë për herë të katërt, kampionë të botës. Futbollistët e Realit të Madridit e fituan edhe trofeun e fundit të vitit pas finales së dominuar ndaj San Lorencos argjentinase. Edhe pse Kristiano Ronaldo nuk shënoi, siç kishte parashikuar trajneri Ançeloti, sërish kjo nuk e pengoi skuadrën spanjolle të bënte për herë të katërt kupën e botës për klubet, në stadiumin e Marrakeshit, në Marok. Madrilenët barazuan Milanin në këtë këtë veprimtari.
Serxhio Ramos, njeriu i finaleve, shënoi një tjetër gol të rëndësishëm, ndërsa autori tjetër ishte Gereth Bejli. Kurrë më parë, Reali nuk kishte fituar 4 trofe në një sezon, pavarësisht historisë së mbushur me suksese. Këtë herë triumfoi në Ligën e Kampioneve, Kupën e Mbretit, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klubet.Ekipi i Ançelotit thelloi rekordin e tij të golave në një vit kalendarik, me 178 të tillë, ndërsa iu afrua edhe më tek rekordit të fitoreve radhazi në një sezon.
Reali ka 22, ndërsa Kuritiba e Brazilit është ndalur në 24. Vetëm një gjë nuk mundi këtë vit, të barazonte Barcelonën e Guardiolës që në 2011 fitoi plot 6 trofe.