Gjergj Vyshka 21.12.2014 07:50
Vllaznia është treguar një skuadër stoike në basketboll për meshkuj, teksa ka triumfuar dhe mbi nervat e veta. Është fituese për të 12-tën herë e Kupës së Shqipërisë duke mbetur kështu një skuadër absolute në basketbollin shqiptar, sepse ripërsërit suksesin e vitit të kaluar. Tashmë i ka mbetur vetëm të bëjë pronë të saj Superkupën e Shqipërisë, ndërsa është kampione në fuqi, por dhe rifituese e Kupës së Shqipërisë.
Ajo që nuk po i bën mirë Vllaznisë, pavarësisht harxhimeve kolosale për një skuadër të fortë në arenën ndërkombëtare, janë të huajt. Më saktë dje në fundin e pjesës së dytë, në një sulm të Kamzës, ndërkombëtari Gentian Cici ka vërejtur një faull të Sarajlijës. Mirëpo ky i fundit ka reaguar, ndërsa Cici i ka dhënë gabim teknik. Reagimi ka vazhduar, ndërsa duket se ka pasur dhe ofendim të sllovenit ndaj gjyqtarit.
Ndaj dhe Cici ka dhënë teknik përjashtimi për Saralijën, i cili ka hequr bluzën, por dhe duke sharë ka ikur drejt dhomave të zhveshjes. Në krahun tjetër, jo rrallëherë, Pajoviç është parë i nervozuar në stolin e rezervave, duke bërë dhe gjeste, aq sa në dy pjesët e tjera për shkak të katër gabimeve personale ka qëndruar në stol. Dhe i vetmi i huaj “i hajrit”, jo vetëm në finale, por dhe në gjysmëfinale duket se ka qenë Gavraniç.
E që Vllaznia të ishte fituese e Kupës së Shqipërisë duhet të ishte një skuadër tërësisht shqiptare. E faktet flasin vetë, ndërsa Nikolin Arra me 3-pikëshat e tij është bërë frymëzuar për marrjen e Kupës së Shqipërisë nga shkodranët. Kamza Basket është përpjekur, por shkodranët e kanë mbuluar mirë Karajn, Daliu, Shestanin dhe Birçajn, e më pas edhe Ndrekon.
E për rrjedhojë, edhe kur ka pasur një afrim prej tre pikësh diferencë, Kamza Basket s’ka mundur të bëjë dot përpara. Duke i fituar tre nga katër periodat e ndeshjes, vetëm e treta është në barazim 19-19, Vllaznia është bërë “pronare” e Kupës së Shqipërisë, duke e marrë për herë të 12-të.
Vllaznia – Kamza Basket 75-63
Vllaznia: Gavraniç (11), Shaqiri (3), Ndoja (4), Pajoviç (14), Saralija (12) / Arra (16), Llazani (4), Bërdica (10), Bekteshi (1), Taraboshi, Huti. Trajner: B. Gjeçaj
Kamza Basket: Shestani (5), Muhametaj, Daliu (18), Birçaj (6), Karaj (23) / Ndreko (5), Qehajaj, Gjoka (4), E. Gjoka (2), Hoxha. Trajner: A. Muhametaj
Gjyqtarë: G. Cici, E. Koçi (Tiranë), E. Hoxhaj (Vlorë)