Gjergj Vyshka 20.12.2014 10:25
Të kuqtë e Elvis Ismetit nuk ia dalin dot ndaj fituesve në fuqi të Kupës së Shqipërisë. Djemtë e Adem Muhametajt, edhe pse kanë qenë në disavantazh, përmbysin në pjesën e katërt. Vllaznia-Kamza Basket është finalja e Kupës së Shqipërisë në Basketboll për Meshkuj, që do të luhet sot në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” Tiranë në ora 18:00.
Nëse për Vllazninë, jo vetëm si fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë, por dhe si “kampione” asgjë nuk është e papritur, surpriza ka ardhur nga Kamza Basket. Skuadra e Adem Muhametaj, e rikthyer në sallën ku dy sezone më parë pat fituar për herë të parë Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, për të kaluar më pas tek titulli “kampion”, dukej sikur është rilindur.
Sigurisht që skuadra nuk ka më ato lojtarë të dy sezoneve më parë, por ama përvoja e Erkand Karajt dhe Bruno Daliu, shoqëruan me virtuozitetin e Shestanit, lojën e mirë të Birçajt dhe më pas dhe shpërthimin spektakolar të Ndrekos, bën atë që askush nuk e ka menduar.
Në fund të ndeshjes e eliminuara është Tirana e Bujar Shehut, e cila një javë më parë kishte fituar ndeshjen e kampionatit në sallën sportive të Bathores me dhjetë pikë diferencë. Mirëpo gjërat nuk janë më as si në Kamëz e as si në “Farie Hoti”, ndërsa “Asllan Rusi” vazhdon të mbetet një makth për bardheblutë sidomos kur është fjala për ndeshje të rëndësishme.
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Meshkuj
Gjysmëfinalet
Të premten:
Vllaznia – Partizani 67-54
(15-13, 16-10, 19-16, 17-19)
Tirana – Kamza Basket 84-87
(24-19, 22-21, 23-17, 15-29)
Finalja
Të shtunën:
Vllaznia – Kamza Basket (18:00)