AlbanianSport.com 20.12.2014 07:55
ASNN – Pas fitores me Adën e Velipojës, të arritur në një terren tepër të rënduar, sidomos në pjesën e dytë, Besëlidhja është duke u përgatitur për ndeshjen me Veleçikun, të cilën sot do ta luajë në stadiumin e Kamzës. Një nga më të dalluarit në fushën e lojës ndaj Adës ka qenë edhe serbi Xhorxheviç, i cili i është gëzuar fitores, ndërsa për gazetat sportive të ditës do të deklaronte: “Ishte një ndeshje që ne e dinim se do ta fitonim”.
“Nuk kishte rrugë tjetër për të vazhduar luftën tonë me dy skuadrat e tjera të kreut, Tërbunin dhe Mamurrasin, të cilat ashtu si ne kërkojnë ngjitjen në Kategorinë Superiore, – ka vijuar ai. – Ne luftuam gjatë gjithë ndeshjes, shënuam tre gola, por duhet të kishim shënuar dhe të tjerë me rastet për shënim që krijuam në portën e Adës. Skuadra e Adës është modeste dhe na krijoi vështirësi në zonë. Them që duhet t’i shpëtojë rënies nga kategoria.”
“Ne tani do të përballemi me Veleçikun, e cila po kalon një situatë me probleme, të paktën kjo sipas shtypit të shkruar, – ka vijuar ai. – Por kjo për ne asgjë, sepse çdo ndeshje ka historinë e vet. Premtojmë që nuk do të bëjmë asnjë hap të gabuar deri në fund të kampionatit. Nëse gabojnë skuadrat kryesuese duhet të përfitojmë ne, ashtu sikurse përfituan ata kur ne pësuam dy humbje. Ne duhet që të jemi shumë kompakt dhe kolektiv në lojën tonë.”
“Duhet të punojmë shumë për të qenë më konkret në rastet tona për shënim. Filluam serinë e fitoreve dhe kështu do të vazhdojmë. Kam besim të plotë që ne do të shkojmë në Kategorinë Superiore. Dua të përshëndes tifozërinë lezhjane, që na mbështeti në ndeshjen ndaj Adës dhe premtoj se me ndihmën e shokëve do t’ua shpërblej me gola”, – ka përfunduar futbollisti serb i Besëlidhjes, Xhorxheviç.