Gjergj Vyshka 19.12.2014 07:55
Ndeshja Dinamo-Sopoti e javës së 12-të jo vetëm që është supersfida e grupit të Jugut në Kategorinë e Parë, por mbi të gjitha mund të quhet ndeshja e vitit e bluve, të cilët kërkojnë medoemos fitoren e sfidës. Por barazimi në Kuçovë duket se ka lënë pasoja, sepse Rexhepi ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë, ndërsa Shkalla, që luan në rolin e qendërmbrojtësi, ka pësuar një tërheqje të fortë muskulore.
E megjithatë dhe me këto dy mungesa të konsiderueshme në formacion, ndërsa Mehmeti duhet të sajojë mbrojtjen e tij nga e para, blutë nuk e kanë ulur optimizmin. Madje administratori i bluve, Ismet Saliaj, i ka bërë thirrje dhe njëkohësisht ftesë të gjithë tifozëve dinamovit që të jenë sa më të shumtë në “Selman Stërmasi”.
“Skuadra, – ka thënë ai, – ka nevojë për të gjithë. Ndaj duhet të jemi të shumtë në stadium, ta ndihmojmë ekipin që të fitojë dhe më pas të festojmë të gjithë së bashku. Një fitore ndaj Sopotit jo vetëm që do të jetë një mbyllje e mirë e vitit, por dhe do të jetë një hap i sigurt drejt realizimit të objektivit tonë që është ngjitja në Kategorinë Superiore”.
Duke qenë se blutë kishin luajtur të mërkurën në Kuçovë, atëherë stërvitja e djeshme ka qenë e lehtë. Fillimisht një vrap rreth Kodrave të Liqenit dhe më pas një lojë në fushat e minifutbollit të kompleksit të kalçetove në Pishina.