AlbanianSport.com 18.12.2014 20:45
ASNN – Sportistja shqiptare, Arjola Prenga, ka shkruar dje një tjetër kapitull suksesi në karrierë, pasi e ka udhëhequr skuadrën e saj norvegjeze, Stod Volejin, drejt një arritjeje historike, siç është sigurimi i vendit në turin e 16-shes së trofeut të dytë të volejbollit evropian, që njihet si “Çellenxh Kap” (Challenge Cup).
Pasi e kishte fituar në 3 sete ndeshjen e parë të zhvilluar para një jave në fushën e vet, kampionia dhe fituesja e Kupës së Norvegjisë, si dhe fituesja në fuqi e Ligës Nordike, e ka fituar edhe ndeshjen e kthimit në Slloveni përballë vendaseve të Kalcit Kamnikut, me rezultatin 3-1, duke siguruar vendin midis 16 më të mirave të kësaj veprimtarie.
Duke folur pas ndeshjes së parë, ku u veçua nga mediat norvegjeze për paraqitjen e saj vendimtare në fitore, Prenga pati theksuar për AlbanianSport.com se e vetmja alternativë për kualifikim do të ishte nëse skuadra e saj shkonte në ndeshjen e kthimit për fitore, duke mos menduar për variantet e tjera.
Dhe Stod Voleji, e frymëzuar padyshim nga 28-vjeçarja shqiptare, e ka zgjidhur kualifikimin brenda 3 seteve të para. Norvegjezet e kanë fituar setin e parë brenda 26 minutash, 25-20, por sllovenet dhe e fitojnë në të njëjtin interval kohor setin e dytë, me rezultatin 25-18.
Megjithatë skuadra e Prengës është rikthyer në setin e tretë, duke e fituar atë me rezultatin 25-20 dhe duke siguruar praktikisht vendin në turin e 16-shes, pasi i mjaftonte edhe një humbje në shifrat 2-3 për t’u kualifikuar. Por as kjo s’ka qenë e nevojshme, pasi Stod Volej edhe fiton edhe setin e tretë 25-21 dhe gjithë ndeshjen me shifrat 3-1.
Ajo që vlen të theksohet, është se statistikat e Arjolës në këtë ndeshje ishin mbresëlënëse, pasi ajo ka realizuar gjithsej 16 pikë në 4 sete, mbi 20 % të 74 pikëve të realizuara nga skuadra e saj, pasi 19 pikët e tjera erdhën si rrjedhojë e gabimeve të kundërshtareve.
Arjola Prenga ishte pikëshënuesja e dytë më e mirë e ndeshjes, me vetëm 4 pikë më pak të realizuara nga shoqja e saj e skuadrës, Klarisë Benicia Peishoto, u rendit e 3-ta përsa i përket zhytjeve, me 10 të tilla, e dyta edhe për topat e pritur, me 26 %, por që ishte e para e skuadrës së saj, si dhe e dyta me 4 mure të suksesshme në rrjetë.
Në turin e 16-shes, skuadra e volejbollistes shqiptare do të përballet me azeret e Azer-railit të Bakusë, dhe takimin e parë do ta luajë në fushën e vet, në periudhën 13-15 janar, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në kryeqytetin e Azerbajxhanit një javë më vonë, periudhën 20-22 janar 2015.