AlbanianSport.com 14/11/2024 16:40
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, Superliga, do t’i luajë të premten dhe të shtunën ndeshjet e javës së 6-të. Sfida hapëse do të jetë të premten, me Besëlidhjen kryesuese që pret Apoloninë, në sfidën që nis në orën 18:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ndërsa një orë më pas, në Bathore, do të luhet takimi Kamza-Tirana.
Java do të plotësohet të shtunën me ndeshjen Teuta-Vllaznia, që luhet duke nisur nga ora 19:00, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Duhet theksuar se, me mbylljen e këtyre takimeve të radhës të kampionatit, do të nisë edhe grumbullimi i Kombëtares për ndeshjen e dytë të fazës së parë të Eliminatoreve për Botërorin 2027 të basketbollit për Meshkuj.
Bëhet fjalë për atë ndaj Austrisë, takim që do të luhet më datë 21 nëntor, duke nisur nga ora 19:30, në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Fllakë. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erkand Karaji u mundën në ndeshjen e parë nga Armenia me rezultatin 84-79. Skuadra e kuqezinjve të koshit do të grumbullohet duke nisur nga data 17 nëntor në Durrës.
Takimi Shqipëri-Austri do të drejtohet nga gjyqtari spanjoll Arnau Padros Feliu, me ndihmës të tij Valerio Grigonin, nga Italia, dhe Joanis Agrafiotisin, nga Greqia dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.