AlbanianSport.com 15/03/2024 23:05
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze kontinentale e klubeve në basketboll për meshkuj, Euroliga, ka vijuar të premten në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar me një tjetër takim të spikatur të javës së 29-të. Ai ka qenë dueli midis Virtus Bolonjës dhe Reali i Madridit, që u mbyll me rezultatin 89-74 në favor të spanjollëve. Kështu, pasi ka luajtur të enjten të mbiquajturin “derbin e derbeve”, supersfidës e dy rivaleve të përjetshme greke, midis Olimpiakosit dhe Panathinaikosit, të premten është luajtur një tjetër sfidë e spikatur të javës së 29-të të Euroligës së basketbollit për meshkuj.
Në fakt, sfida që vuri përballë vendasit, që mbanin vendin e 7-të, me madrilenët, që kryesojnë renditjen në sezonin e rregullt të kësaj veprimtarie dhe Reali e ka bërë dallimin që në fillim. Në 10-minutëshin e fillimit, skuadra vendase shënon vetëm 15 pikë, kundrejt 23 pikëve të shënuara nga spanjollët, të cilët edhe në 10-minutëshin e dytë e kanë mbizotëruar lojën, duke e fituar atë me shifrat 21-16, duke bërë që të dy skuadrat të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave me epërsinë prej 13 pikësh të Realit të Madridit, 44-31.
Ndonëse skuadra vendase ka patur një tjetër ritëm loje pas daljes nga dhomat e zhveshjeve, pasi e ka fituar 10-minutëshin e 3-të, 21-17, është skuadra mike që kryeson pas një gjysmë ore loje me shifrat 61-52. 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka qenë i luftuar, por Reali i Madridit e ruan gjakftohtësinë dhe e fiton atë 28-22 dhe gjithë ndeshjen me shifrat 89-74, duke e ruajtur kështu i shkëputur kreun edhe pas javës së 29-të.