AlbanianSport.com 15/03/2024 15:45
ASNN – Këtë fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Femra. Kjo javë rezervon përballje tepër interesante, teksa spikat pa dyshim derbi kryeqytetas Tirana-Partizani. Kjo sfidë do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 13:00, teksa vajzat bardheblu do të kërkojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes në sfidën e fundit ndaj Apolonisë.
Në anën tjetër, vajzat e kuqe do të synojnë fitoren për të shkurtuar dallimin me Tiranën. Të shtunën do të zhvillohen edhe 3 sfida të tjera. Vllaznia do të udhëtojë drejt Lushnjes, teksa ndeshja është planifikuar të nisë në orën 12:00 dhe kampionet në fuqi të vendit do të kërkojnë fitoren e radhës për të blinduar vendin e parë. Një takim interesant është edhe Kinostudio-Apolonia, që do të luhet duke nisur nga ora 15:00.
Vajzat e Kinostudios po kalojnë një moment shumë të mirë dhe në sfidat e fundit kanë marrë rezultate pozitive, megjithatë do ta kenë të vështirë ndaj Apolonisë, që renditet në vendin e dytë në kampionat. Në të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe sfida, Teuta-Laçi që do të nisë në orën 10:00. Java e 13-të e Kampionatit Kombëtar në futboll për femra do të mbyllet të dielën me takimin Skënderbeu-Gramshi, që do të luhet duke nisur nga ora 13:00.
Kampionati Kombëtar
Futboll – Femra
Java e 13-të
Të shtunën, 16 mars 2024:
Teuta – Laçi ora 10:00
Lushnja – Vllaznia ora 12:00
Tirana – Partizani ora 13:00
Kinostudio – Apolonia ora 15:00
Të dielën, 17 mars 2024:
Skënderbeu – Gramshi ora 13:00