AlbanianSport.com 15/03/2024 13:55
ASNN – Edhe veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka hedhur shortin e çerekfinaleve, por edhe gjysmëfinaleve. Ka një derbi italian në Ligën e Evropës, Gjimshiti sfidon Liverpulin. Sapo është hedhur shorti i çerekfinaleve të Ligës së Evropës dhe goglat kanë dhuruar përballje shumë interesante.
Milani do të sfidojë Romën në një derbi italian për një vend në gjysmëfinale, ndërsa Atalanta e Gjimshitit do të luajë kundër Liverpulit. Bajer Leverkuseni do të përballet me Uest Hemin, ndërsa Benfika do të luajë kundër Olimpikut të Marsejës. Ndërkaq, janë përcaktuar edhe gjysmëfinalet e mundshme.
Ato kabë bërë që të përvijohet edhe rruga deri në finale e madhe të Dublinit. Fituesja e takimit Milan-Roma do të ndeshet me fituesen e sfidës Bajer Leverkusen-Uest Ham. Kurse fituesja e përballjes Liverpul-Atalanta, do të ndeshet në gjysmëfinale me fituesen e takimit Benfika-Olimpik Marsejë.
Ndeshjet e para çerekfinale do të luhen më 11 prill, ndërsa ndeshjet e kthimit në 18 prill 2024. Ndërsa ndeshjet e para të gjysmëfinaleve do të luhen në 2 maj, kurse ndeshjet e kthimit në 9 maj 2024. Finalja e madhe e këtij edicioni të Ligës së Evropës do të luhet në 22 maj në Dublin.