AlbanianSport.com 14/03/2024 15:25
ASNN – Basketboll meshkuj, Tirana, Teuta dhe Kamza shkëlqejnë me 3 shifra. Superliga e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj ka zhvilluar të mërkurën 4 ndeshje të vlefshme për javën e 17-të, një ditë ku janë shënuar fitore nga të gjitha skuadrat udhëtuese. Tirana duket se është abonuar me triumfet treshifrore, teksa regjistroi të 4-tin radhazi. Bardheblutë fituan ndaj Fierit me rezultatin 63-104 (21-29, 15- 29, 8-23, 19-23) në takimin e luajtur në Vlorë.
Fierakët rezistuan vetëm në 5 minutat e para, madje duke bërë më mirë se kryeqytetasit, por më pas kampionët në fuqi morën komandën, duke vendosur diktatin e tyre. Gjashtë lojtarë bardheblu realizuan mbi 10 pikë, ndërsa efikasitetin më të lartë e kishin Xhordan Robinson, me 23 pikë, Xherard Dejvis, me 23, si dhe Endrit Hysenagolli me 19 pikë dhe 10 topa të zotëruar në tabelë. Për Fierin spikati i zakonshmi Brendon Anjanvu me 26 pikë, 9 topa në tabelë dhe 6 pasime për kosh.
Por të gjitha këto mbeten vetëm për vlerë statistikore. Me këtë fitore Tirana barazon Besëlidhjen me pikë në krye të renditjes, por lezhjanët kanë dy ndeshje më pak. Gjithçka e thjeshtë edhe për Teutën ndaj Skënderbeut të vendit të fundit. Durrsakët triumfuan me 3 shifra në Korçë me rezultatin 72-115 (19-24, 17-28, 17-31, 19-32). Siç edhe pritej, Teuta ishte superiore në çdo aspekt, ndërsa korçarët vijojnë sezonin e vështirë duke koleksionuar vetëm humbje.
Katër lojtarë të bregdetarëve prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa më të mirët ishin Patrik Bejkën me 27 pikë, 8 topa të zotëruar në tabelë dhe 9 pasime për kosh, si dhe Ajsajah Tërner, me 24 pikë e 12 topa të zotëruar në tabelë. Për Skënderbeun spikatën Bruno Topi, me 25 pikë, 8 topa të zotëruar në tabelë dhe 6 pasime, Endri Habipi, me 15 pikë dhe 10 topa të zotëruar në tabelë, si dhe Leon Thanasi, me 13 pikë. Sukses me 3 shifra në fushë të huaj pati edhe për Kamzën.
Skuadra e trajnerit Eni Llazani “likuidoi” Elbasanin 86-108 (21-24, 20-33, 26-25, 19-26). Kamza e bëri dallimin në pjesën e dytë, duke e krijuar aty shkëputjen vendimtare. Gjashtë lojtarë të miqëve realizuan mbi 10 pikë, ku më të mirët ishin Dominik Kejes, me 20 pikë dhe 10 topa të zotëruar në tabelë, si dhe Nima Namdar, me 24 pikë. Në anën tjetër, për Elbasanin u dalluan Alban Çela me 16 pikë e 10 topa të zotëruar në tabelë, dhe Bruno Skëndaj, me 25 pikë e 8 topa të zotëruar në tabelë.
Por edhe Samuel Skëndaj me 21 pikë e 8 topa të zotëruar në tabelë. Ndërkaq, Vllaznia ka marrë një fitore me vlera duke konsoliduar edhe më shumë pozitat për zonën e “play- off”-it final. Kuqeblutë e trajnerit Damian Bekteshi mundën Flamurtarin në Vlorë në shifrat 72-90 (15-22, 20-21, 26-22, 11-25). Dajkuavis Uillkins, me 25 pikë dhe 9 topa të zotëruar në tabelë, si dhe Kreig Sa’ab me 24 pikë. udhëhoqën shkodranët drejt suksesit të 11-të sezonal.
Për Flamurtarin spikatën Eraldo Kollovi me 21 pikë e 15 topa të zotëruar në tabelë, si dhe Dushan Stosiç, me 22 pikë. Ndërkaq, java e 17-të e Superligës së Kampionatit Kombëtar në Basketboll për Meshkuj do të mbyllet të enjten në mbrëmje, me ndeshjen e fundit, atë ndërmjet kryesueses së renditjes, Besëlidhjes, dhe Apolonisë, takim ky që do të zhvillohet duke nisur nga ora 17:30, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.