AlbanianSport.com 13/03/2024 23:55
ASNN – Liga e Kampioneve, mbyllet turi i 16-shes. Njihen 8 çerekfinalistet, Atletiko Madrid-Inter erdhi direkt në RTSH. Janë njohur të mërkurën edhe dy çerekfinalistet e fundit të Ligës së Kampioneve, pasi dy çiftet e fundit të turit të 16-shes kanë luajtur ndeshjet e kthimit. Atletiko e Madridit ka pritur Interin, duke e mundur vetëm pas goditjeve nga pika e bardhë. Në takimin tjetër, Borusia e Dortmundit ka mundur 2-0 PSV-në e Eind’hovenit, duke u kualifikuar për më tej.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve ka luajtur të mërkurën takimet e kthimit të dy çifteve të fundit të turit të 16-shes, duke përcaktuar edhe dy çerekfinalistet e fundit. Në takimin e luajtur në Madrid, skuadra vendase e Atletikos ka pritur Interin, teksa takimi i parë i zhvilluar në Itali, ishte mbyllur me fitoren minimale të zikaltërve. Por në sfidën e së martës, spanjollët e kanë nisur vrullshëm, duke e kërkuar me ngulm rrugën e rrjetës dhe rastet nuk kanë munguar.
Sidoqoftë, edhe Interi nuk ka mbetur më prapa dhe, përkundër rrjedhës së lojës, ka kaluar në epërsi pas 33 minutash lojë, me anë të Dimarkos. Por gëzimi i italianëve do të jetë jetëshkurtër, pasi brenda dy minutash, Atletiko ka rikthyer barazpeshën, pasi Antuan Grizman ka përfituar nga pasiguria e mbrojtësve të Interit dhe ka përshëndetur rrjetën. Kështu, në barazim 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat kanë të njëjtën tablo.
Me spanjollët që bëjnë vëllim më të madh loje dhe janë më kërkues përballë italianëve që mundohen të administrojnë epërsi që u jep fitorja e ndeshjes së parë. Rastet në të dyja skajet nuk kanë munguar, madje kanë qenë mjaft të volitshme, teksa Interi gabon me Turamin dhe Barelën, ndërsa shtylla e djathtë pingule e portës italiane i mohon Atletikos golin në të 85-ën minutë. Por vetëm dy minuta më pas, spanjollët e gjejnë golin me holandezin Memfi Depaj.
Kështu, gjithçka shkon në dy pjesët shtesë nga 15 minuta secila, që sidoqoftë nuk kanë sjellë gola të tjerë dhe gjithçka do të vendoset nga goditjet nga pika e bardhë, aty ku Interi shënon vetëm dy dhe humbet 3, ndërsa Atletiko e Madridit shënon 3 dhe humbet një, por kaq mjafton për të shkuar në çerekfinale. Takimi tjetër i mbrëmjes, midis Borusias së Dortmundit dhe PSV-së së Eind’hovenit u fitua nga gjermanët me shifrat 2-0 dhe janë ata që shkojnë në çerekfinale.