AlbanianSport.com 13/03/2024 19:20
ASNN – Ka ardhur si një rrufe në qiellin bardheblu, por vetëm disa ditë para finales së Kupës së Shqipërisë, trajneri Hasan Gurabardhi është larguar nga drejtimi i skuadrës së Tiranës në volejboll për femra. Trajneri veteran dhe klubi bardheblu kanë mbyllur bashkëpunimin, me Tiranën e vajzave të rrjetës që merr një goditje të fortë në momentin kyç të sezonit, ndërsa të dielën kryeqytetaset do të zbresin në parket për finalen e Kupës së Shqipërisë përballë Skënderbeut.
I kontaktuar nga mediat e ndryshme sportive në vend, trajneri Gurabardhi nuk ka preferuar të japë detaje, teksa ka bërë të ditur se largimi ka ardhur për arsye personale. Ai e kishte marrë drejtimin e vajzave bardheblu verën e kaluar, ndërsa pas disa luhatjeve të fillim-sezonit, Tirana po kalonte një formë të shkëlqyer në fazën e dytë, duke qenë brenda të gjitha objektivave, me një vend të sigurt në “play-off”-in e kampionatit.
Tirana është e kualifikuar për në finalen e Kupës si dhe mbërriti gjithashtu në gjysmëfinalen e Ligës Mbarëkombëtare “Gjergj Kastrioti” për femra. Aktualisht ekipi ndodhet pa trajner, me vajzat bardheblu futen kështu në një vorbull në pjesën më të rëndësishme të sezonit. Ndonëse trajneri Gurabardhi deklaroi se largimi i tij nga Tirana ka ardhur për arsye personale, mësohet se ai ka patur vazhdimisht mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit.