AlbanianSport.com 06/03/2024 14:45
ASNN – Futbolli për femra, Tirana e Vllaznia ndajnë kreun, Valentina Troka shkëlqen me 9 gola. Ja si u mbylla java e 11-të. Kështu, Kampionati Kombëtar i futbollit për femra ka mbyllur të dielën javën e 11-të me ndeshjen e zhvilluar në fushën “Skënder Halili” ndërmjet Tiranës dhe Laçit. Vajzat bardheblu vijojnë ecurinë e shkëlqyer në kampionat, teksa triumfuan me rezultatin tenistik 6-0, duke ruajtur pozitat në vendin e parë të renditjes.
Zarka me dygolësh, Musaj, Ago dhe Berisha ishin protagonistet e golave për ekipin që drejtohet nga trajneri Alpin Gallo. Me pikë të barabarta me Tiranën ndodhet edhe Vllaznia, e cila gjithashtu regjistroi fitore me goleadë në vizitën e Durrësit kundër Teutës. Kampionet në fuqi triumfuan me rezultatin 0-8, ku spikatën Gjergji, Gjini dhe Yamada me nga një dygolësh secila, ndërsa rrugën e rrjetës për skuadrën kuqeblu e gjetën gjithashtu edhe Kodra e Coka.
Apolonia u tregua e papërmbajtshme në vizitën që i bëri në Korçë Skënderbeut. Të udhëhequra nga Valantina Troka, vajzat fierake fituan me rezultatin dyshifror 0-16. Tashmë në mungesë të Megi Doçit, e cila ende nuk e ka provuar shijen e golit në Turqi me Gallatasarajin, Valentina Troka po përgatit festën për kurorën e dytë radhazi si mbretëresha e golave në Shqipëri. Sulmuesja fierake realizoi plot në 9 gola ndaj Skënderbeut.
Ndërsa emrin në listën e shënueseve e vendosën edhe Levenaj me trigolësh, Ndoj me dygolësh, si dhe Njabuta e Xhindola me nga një gol secila. Edhe Partizani ka marrë një sukses të rëndësishëm për 4-shen e parë të renditjes, teksa mundi në fushë të huaj Gramshin në shifrat 9-1. Golat për të kuqet mbajnë firmat nga Begallo, Goro, Liridona Gashi dhe Koka me nga një dygolësh secila, gjithashtu një herë rrjetën e tundi edhe Egzona Gashi.
Fitore me vlera korri edhe Kinostudio, teksa vajzat e trajnerit Gëzim Gjonpalajt fituan 4-0 në shtëpi ndaj Lushnjës, sukses që erdhi falë dygolësh nga Bushati dhe Lulaj.