AlbanianSport.com 05/03/2024 22:55
ASNN – Liga e Kampioneve rikthehet në fushën e blertë. Të martën u njohën çerekfinalistet e para, të mërkurën vjen Real Madrid-Lajpcig. Kështu, janë njohur të martën çerekfinalistet e para të Ligës së Kampioneve, që janë Bajerni i Mynihut dhe Paris SG-ja. Të mërkurën luhen ndeshjet e kthimit dhe Mançester Siti pren FC Kopenhagën. Ndërsa Reali i Madridit pret Lajpcigun, në ndeshjen që do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 21:00.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve ka luajtur të martën takimet e kthimit të turit të 16-shes, duke përcaktuar edhe dy çerekfinalistet e para. Në takimin luajtur në Gjermani, Bajerni i Mynihut ka shënuar dy herë në pjesën e parë, duke përmbysur kështu shifrat ndaj Lacios, që e pati fituar me një gol të vetëm takimin e parë në Itali. Herri Kejn ka reaguar instinktivisht në minutën e 39-të, për ta përcjellë topin në rrjetë. Në minutën e parë shtesë, Tomas Myler do të kthejë në rrjetë goditjen e De Ligtit.
Në pjesën e dytë, bavarezët shënojnë edhe një gol të 3-të, me anë të Herri kepnit, që plotëson kështu dygolëshin e tij në këtë ndeshje, rezultati përfundimtar i së cilës ishte Bajern i Mynihut – Lacio 3-0. Ndërkaq, e ka patur disi më të thjeshtë punën në Spanjë Paris Sen Zhërmeni, pasi e kishte fituar ndeshjen e parë në shtëpi me shifrat 2-0 dhe ka vijuar të fitojnë edhe të martën në fushë të huaj ndaj Real Sociedadit. Kilian Mbape ka shënuar në minutat 15 dhe 56, duke e vulosur kështu çështjen e kualifikimit në favor të parisienëve, edhe pse spanjollët e gjetën në fundit një gol ngushëllimi.