AlbanianSport.com 03/03/2024 21:35
ASNN – Skënderbeu nuk e lëshon Ligën “Gjergj Kastrioti”, e fiton për të 3-tën herë turneun mbarëkombëtar të rrjetës së vajzave. Kështu, ekipi i Skënderbeut në volejboll për femra fitoi të dielën në mbrëmje 3-0 ndaj Dritës, në finalen e Ligës “Gjergj Kastrioti”, ndeshje e luajtur në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë.
Kjo është hera e tretë që skuadfra korcare e fiton këtë turne në po kaq edicione të zhvilluara. Duket sikur ky turne mes ekipeve nga Shqipëria e Kosova është “pronë” e Skënderbeut, që e ka fituar gjithnjë. Ashtu sikurse bëri edhe të dielën, në një ndeshje ku në përgjithësi ishte superiore në fushë ndaj mikeshave nga Gjilani i Kosovës.
Korçaret e trajnerit Orlando Koja e fituan finalen në 3 sete, (26-24, 25-23, 25-15). Por, në dy setet e para loja është më e bukur, sidomos në pikët e fundit, ku të dyja skuadrat rivalizojnë. Por, në momentet vendimtare, skuadra vendase është më e saktë dhe arrin
të fitojë.
Seti i tretë është një formalitet për Skënderbeun, që dominon e fiton pa probleme. Festë e madhe për skuadrën e Skënderbeut, që fiton dhe ngre këtë trofe para tifozëve të saj të shumtë të dielën në pallatin e sportit, duke treguar se është një rivale e fortë. Kështu, ka ulur siparin një turne që nisi që vitin e kaluar dhe të dielën shpalli ekipin fitues.
Liga “Gjergj Kastrioti”
Volejboll – Femra
Gjysmëfinalet
1 mars 2024:
Skënderbeu – Partizani 3-0
Tirana – Drita e Gjilanit 2-3
Finalja
3 mars 2024:
Skënderbeu – Drita 3-0