ASNN – Vllaznia është “padronia” e “Klasikes”. Mund 3-1 Tiranën në “Loro Boriçi” dhe konsolidohet në vendin e dytë. Klasikja e futbollit shqiptar, dueli i zhvilluar në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës midis Vllaznisë dhe Tiranës, i ka përligjur pritshmëritë, ndonëse duhet theksuar se ajo që e ka dhuruar gjithë spektaklin ka qenë skuadra vendase. Kuqeblutë vijojnë në vazhdën e rezultateve pozitive, por më tepër sesa kaq, edhe lojën gjithnjë e më bindëse nën drejtimin e trajnerit Qatip Osmani, dhe, pasi Smajli ka provuar në minutën e 8-të dhe Gruda në të 9-ën, do të jetë Juriç që do të godasë saktë me kokë brenda zonës në minutën e 21-të, duke i kaluar vendasit në epërsi.
Gjysma e dytë e pjesës së parë do të vijojë të flasë për shkodranët, që në minutën e 24-të, pas një skeme të Malës në goditjen e dënimit, që e pason topin për Grudën, po ky i fundit që ndalet nga shtylla, ndërsa në të 37-tën, Jonuzi provon nga larg, por pasaktësish. Pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë e dyfishtë të Vllaznisë, që pikërisht në minutën e parë shtesë, gjen sërish golin, ku Balaj lëviz bukur prapa shpinës së mbrojtjes bardheblu dhe e dërgon topin në rrjetë. Pjesa e dytë e ndeshjes do të shohë një lojë të hapur nga ana e të dyja skuadrave, në kërkim të golit që mund të ndryshonte shumëçka.
12 minuta para fundit të kohës së rregullt është Tirana që shkurton shifrat, pasi Përgjoni pason për Nikqin dhe ky i fundit e dërgon atë në rrjetë. Megjithatë, Vllaznia nuk lëshon dhe menjëherë më pas, Hoxhallari pengon në zonë Salën dhe gjyqtari kryesor, Jorgji, jep një 11-metërsh për shkodranët. Balaj nuk gabon nga pika e bardhë dhe plotëson kështu dygolëshin e tij në këtë ndeshje, të 15-tin këtë sezon, duke vulosur edhe triumfin 3-1 të Vllaznisë ndaj Tiranës, që i konsolidon kuqeblutë në vendin e dytë të renditjes.