AlbanianSport.com 01/03/2024 18:20
ASNN – Drejtoria Teknike prezanton programin stërvitor për muajt në vazhdim për Shoqatat Rajonale. Kështu, Drejtoria Teknike e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka organizuar mbledhjen e radhës me Drejtorët Teknikë të Shoqatave Rajonale në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, Përgjegjësi i futbollit të fëmijëve në FSHF, Andi Zëre, 8 Drejtorët Teknikë të Shoqatave Rajonale, si edhe Doktori Dritan Todhe. Drejtori Fulvio Pea u ka prezantuar të pranishmëve programin stërvitor që duhet ndjekur në Qendrat Rajonale për muajt në vazhdim.
Atyre u janë demostruar me anë të videove ushtrimet teknike dhe taktike individuale. Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për punën individuale me portierët dhe është prezantuar edhe një program i veçantë që duhet ndjekur në Qendrat Rajonale. Doktori Dritan Todhe, u bëri me dije Drejtorëve Teknikë të Shoqatave Rajonale që çdo lojtar duhet t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore.
Duke i dhënë kështu një rëndësi të madhe shëndetit të futbollistëve. Deri tani puna me talentët kuqezi në Qendrat Rajonale po ecën shumë mirë dhe një përmirësim i dukshëm dallohet edhe te stërvitjet që futbollistët kryejnë me trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave, në kuadër të projektit “Step by Step”.