AlbanianSport.com 01/03/2024 16:30
ASNN – Fundjava rikthen Kampionatin e femrave, njihuni me ndeshjet e javës së 11-të. Pas ndërprerjes së imponuar nga grumbullimi 7-ditor i Kombëtares kuqezi dhe pjesëmarrjes së saj në turneun miqësor “Visit Malta Trophy”, rikthehet këtë fundjavë Kampionati Kombëtar i Futbollit për Femra. Java e 11-të e kampionatit do të luhet këtë fundjavë, me sfida që pritet të dhurojnë emocione në fushën e lojës.
Të shtunën do të luhen 3 nga takimet e kësaj jave, ndërsa dy ndeshjet e tjera do të luhen ditën e diel. Teuta-Vllaznia ngre siparin e javës së 11-të. Një ndeshje e lehtë në letër për shkodranet, që kërkojnë të mbrojnë titullin “kampion”. Sfida do të luhet në Durrës, duke nisur nga ora 11:00. Në po të njëjtën ditë, Gramshi do të presë në shtëpi Partizanin.
Të kuqet e kryeqytetit duken më favorite për të dalë me pikët e plota nga kjo ndeshje. Sfida do të luhet në Gramsh, duke nisur nga ora 12:00. Në takimin e 3-të të së shtunës, Apolonia do të udhëtojë drejt Korçës, ku do të përballet me ekipin e Skënderbeut. Ndeshja është programuar të luhet në qytetin juglindor, duke nisur nga ora 15:00. Ndërkaq, të dielën do të luhen dhe dy takimet e tjera të javës.
Përballja Kinostudio-Lushnja është programuar të luhet në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, duke nisur nga ora 12:00, kurse sfida Tirana-Laçi do të jetë ndeshja përmbyllëse e javës së 11-të, që është edhe java e dytë e fazës së dytë, një takim që do të zhvillohet të dielën në Kompleksin Sportiv “Skënder Halili” në kryeqytet, duke nisur nga ora 13:00.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit për Femra
Java e 11-të
Të shtunën, 2 mars 2024:
Gramshi – Partizani ora 14:00
Skënderbeu – Apolonia ora 15:00
Teuta – Vllaznia ora 11:00
Të dielën, 3 mars 2024:
Kinostudio – Lushnja ora 12:00
Tirana – Laçi ora 13:00